Sherr dhe të shtëna ne mes te qytetit mes shqiptarëve dhe kosovarëve në Itali

186
0

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar këtë mëngjes në qendër të Triestes, në Itali, pranë një lokali.

Të paktën 8 persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat që mësohet se kanë ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje midis grupeve të punëtorëve të huaj, kosovarë dhe shqiptarë.

Mësohet se njëri prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë.

Pas një grindjeje fillestare grupet, të përbërë nga njerëz të shumtë, gjithashtu janë përplasur me hekura dhe atëherë dikush nxori armën dhe qëlloi disa herë.

Përleshja ka ndodhur për ndarje territori në fushën e ndërtimit në këtë qytet, raporton media italiane.

Hetimet janë të koordinuara nga prokurorja në detyrë, Chiara De Grassi, ndërsa kanë filluar kërkimet në zonën dhe rreth qytetit, pasi shumë njerëz janë përfshirë në këtë çështje.

Zona u mbyll nga policia, ndërkohë që në vendngjarje janë policia, karabinierët, policia financiare dhe ambulanca.

Dëshmia e banakierit: Gjithçka dukej si një lojë

“Dëgjova zhurmë, por në fillim nuk e kuptova se çfarë po ndodhte. Njerëzit po ndiqnin njëri -tjetrin dhe dukej sikur ishte një lojë mes tyre. Pastaj pashë një person një tokë, të cilit i kishte rënë të fikët dhe unë e kuptova se çfarë po ndodhte.”

Kjo është dëshmia e banakierit i cili ndodhej në lokal në momentin kur ndodhi përleshja, shkruan TgCom. 

“Unë kam punuar këtu për 33 vjet, nuk kam parë kurrë një skenë dhune,” shton ai.