Pse ngelin në kolaudim makinat? Shoferët të kenë kujdes qe mos te rrezikojne gjoba te medha: Nëse kapeni në rrugë..

291
0

Një në katër makina në Shqipëri rezulton jashtë standardit. Këtë fakt e ka bërë me dije kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, i cili përmes bilancit të 15 ditëve të para të kolaudimit, ka deklaruar se kanë mbetur në kontroll 23% të mjeteve që u paraqitën për kontroll teknik.

Sipas Gonxhes, ky fakt nuk përbën aspak surprizë, duke ia atribuuar këtë përgjegjësi koncesionarit, por edhe vetë drejtuesve. “Pamë një situatë skandaloze dy javët e para të rihapjes së shërbimit, veçanërisht në pjesë që nuk i shohim, mangësi të theksuara në pjesët xhenerike. Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e një shërbimi të bërë keq, por edhe vetë drejtuesve të mjeteve. Tashmë po veprojmë me një ndërhyrje me tolerancë zero për paligjshmëritë absolute. Do të reformojmë të gjithë sistemin”, ka sqaruar Gonxhe.

Mangësitë e evidentuara

Sistemi i drejtimit, pjesët xhenerike e sidomos goma jashtë standartit, janë tri nga mangësitë më të përsëritura në makinat që “nuk e kaluan klasën”. Për Gonxhen, mangësi të tilla kanë rezultuar me pasoja fatale jo vetëm për drejtuesin e mjetit problematik, por edhe për të tjerët në rrugë. “Goma të djegura, të shkatërruara, goma fushë, amortizatorë të këputur, koka bari gati duke dalë, susta të thyera, sistem amortizimi krejtësisht të shkatërruara, fenerë të thyer e të tjera. Dhe ta mendosh që mjetet e kontrolluara janë mjete të transportit të mallrave pasagjerëve e taksi, nuk kemi hyrë akoma te pjesa private”, sqaron drejtori i DPSHTRR-së, Gonxhe. Sipas statistikave, nga 15 mijë mjetet e testuara, 1/3 e tyre kanë pasur mangësi vizuale e funksionale, një pjesë e konsiderueshme në sistemin e frenimit dhe shkarkimit të gazrave e po ashtu edhe në sistemin e drejtimit, përcjelljes së fuqisë në akse dhe amortizimit.

Penalizimet për shkeljet

Penalitetet për shoferët e parregullt pritet të jenë më të rënda se më parë. Gjobë nga 40 deri në 100 mijë lekë për mjetet private e deri në heqjen e licencave për mjetet e shërbimit. “Kontrolli i ri arkivon në dosjen e çdo makine gjetjet në automjet. Nuk mundesh më të ikësh nga një pikë në një tjetër për të kaluar kolaudimin. Nuk mund të bëhet më loja nga Tirana në Laç se ‘e kam rregulluar me njërin’. Nëse je në listë të zezë dhe del në muajin që ke afat për të bërë riparimet, të vetmet destinacione që mund të përshkosh janë drejt servisit ku je duke e riparuar dhe pikës së kolaudimit. Nëse mjeti kapet në rrugë me mendimin që nuk do ta shohë Policia, i pezullohen të gjitha licencat që ky mjet posedon. Mund të ketë licencë udhëtarësh, transporti mallrash ndërkombëtare apo kombëtare. Është një operacion i vërtetë nga të gjitha organet, të cilat do ta bllokojnë mjetin, fillimisht virutalisht në sistem e maps në rrugë. Gjobat janë shumë të rënda. Në rast se kapeni në rrugë pa kaluar kolaudimin, janë nga 40 deri në 100 mijë lekë”, bën të ditur Gonxhe.