Pas dates 1 tetor, kafen në lokale do ta pini jo vetëm në distancë, por edhe me orar, ja arsyeja

76
0

Pas 1 tetorit, kafen, drekën apo darkën mund ta merrni në ambientet e mbyllura të lokaleve. Komiteti teknik i ekspertëve vendosi hapjen e të gjitha bareve dhe restoranteve por me kusht, respketimin e protokolleve të sigurisë ndaj Covid-19.

 “Protokolli parashikon që i gjithë personeli që shërben të jetë  i pajisur me maska. Detyra e menaxherit të barit, është që çdo mëngjes të deklarojë gjendjen shëndetësore të punonjësve të tij dhe ka detyrim matjen e temperaturës. Nuk do të lejohen të punojnë ata që temperaturën e kanë mbi 37.5″, thotë Genta Qirjako.

 Por edhe ambientet e brendshme të lokaleve nuk do të jenë si më parë. Sipas ekspertëve, tavolinat do të kenë distancë nga njëra-tjetra,  punonjësit duhet të shërbejnë me maska,  menuja rekomandohet elektronike si dhe një serë rregullash të tjera.

“Tavolinat duhet të jenë të paktën 2 metër larg njëra-tjetrës, kamerierët detyrimisht me maska, menuja rekomandohet elektronike ose plastike që të pastrohet, në hyrje të çdo subjekti duhet të ketë detergjentë për dezinfektimin e duarve në hyrje dhe dalje”, vijon Qirjako.

Ndërsa për pronarët e lokaleve rregullat anti-covid në ambientet e brendshme do të shtojnë barrën financiare. I druhen rritjes se çmimeve ndaj mund të aplikojnë masa të tjera, nga reduktimi i stafit deri tek vendosja e një kohë të caktuar për konsumimin e kafes apo darkës. “Kemi matur distancat dhe nga 35 tavolina i bie të punojmë me 15 tavolina. Me situatën e krijuar është e pamundur rritja e çmimit. Mund të shkurtojmë stafin ose të punojmë me kohë të përcaktuar për tavolina. Për një kafe klientët  duhet të rrinë 30-45 minuta dhe për darkën jo më shumë se 1 orë e gjysmë”, thotë Enri Jahaj, kryetar i Shoqatës së Bareve.

Nga vendimi më i fundit i komitetit të ekspertëve të shëndetësisë, përjashtohen klubet e natës dhe diskot. Këto biznese do të vijojnë të jenë të mbyllura”.