A do mbyllemi në prag të fundvitit? Silva Bino sqaron si do veprohet: Qytetarët të shmangin udhëtimet

361
0

Pandemia e Covid-19 vijon të marrë jetë njerëzish çdo ditë në vend, dhe kjo prirje po shihet me shqetësim nga qytetarët. Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino, ka folur në Euronews Albania rreth pandemisë në vend, dhe masat të cilat do të merren për menaxhimin e virusit.

Ajo tha se gjatë dy javëve të fundit vihet re një stabilizim i gjendjes, kjo dhe për shkak të masave të pjesshme që janë ndërmarrë.

Jo, ne nuk kemi pasur një rritje drastike të numrave siç kishim vënë re tre apo katër javë më parë, por gjatë këtyre dy javëve të fundit vumë re një tendencë stabilizim, gjë e cila vjen edhe nga masat e bllokimit të pjesshëm, që ne kemi aktualisht pasi mbajtja e maskave me detyrim në mjedisin e jashtëm ishte një masë, e cila nuk është respektuar aq sa duhet nga qytetarët shqiptare, të cilët i mbajnë maskat, por i mbajnë në qafë dhe nuk i mbajnë ashtu siç duhet”, tha ajo.

Mjekja Silva Bino tha se shkenca ka vërtetuar tashmë se koronavirusi nuk përhapet vetëm nga spërklat e pështymës, por përhapet edhe përmes rrugëve ajrore.

“Por dihet se coronavirus, Sars Cov-2 është një virus që nuk përhapet vetëm nëpërmjet spërklave, por përhapet gjithashtu dhe nëpërmjet rrugës ajrore, pra është një virus që qëndron në ajër. Ne mund ta përhapim virusin edhe duke folur, edhe duke kënduar dhe nuk e përhapim vetëm në përmjet spërklave. Pikërisht për këtë arsye është tepër ngjitës, këto janë fakte që janë provuar shkencërisht, dhe kjo është e domosdoshme”, tha ajo.

E pyetur se a rrezikon Shqipëria të shkojë drejt ri-mbylljes, znj. Bino tha se gjithçka varet nga shifrat.

“Situata jonë është e njëjtë me të gjithë vendet e Ballkanit dhe aktualisht Ballkani ka një rënie të numrit të rasteve, por domethënë situata jonë është e ngjashme me vende të tjera të Ballkanit. Kjo do të varet nga shifrat, janë masat që po ndiqen kohë pas kohë. Ne nesër do të kemi një rivlerësim të javës se si ka shkuar, dhe dyjavëshit që ka shkuar, dhe në këtë mënyrë do të vendosim në drejtim të masave më shtrëngese apo jo”, tha ajo.

Gjithashtu znj. Bino u shpreh se nuk është e këshillueshme që për festat e fundvitit të udhëtohet nga një qytet në tjetrin, pasi kjo lëvizje shton ajo rrit mundësinë e përhapjes së Covid-19.

“Nga vendimet që do të merren, ajo çfarë unë do të thoja është që qytetarët të jenë të përgjegjshëm vetë, që të mënjanojnë udhëtimet nga një qytet tek tjetrit gjatë festave, sepse kjo shkakton grumbullime dhe transportim të virusit nga një qytet në tjetrin. Sa më pak njerëz të qëndrojmë në shtëpitë tona dhe t’i festojmë me familjet tona festat, aq më mirë do të jetë në drejtim të kontrollit të virusit”, shtoi ajo.